Çfarë ndodhi te Foleja e Shqiptarisë në Kalgari?
Diku në jugperëndim të Kalgarit, te nje shkollë e quajtur "North Point, School for Boys" mëngjesin e të shtunës u mblodhën prindër e fëmijë, dhe për dy orë ai ambient i huazuar nga shkolla kanadeze, foli shqip, këndoi shqip dhe pa se si nje komunitet i udhëhequr nga dashuria për të parët e gjuhën, respekti për vlerat dhe traditat, dashamirësia ndaj njëri-tjetrit mund të mbajë gjallë e plot jetë thelbin e të qenurit shqiptar.
Dikush nga jashtë, pa u ndikuar emocionalisht nga ndodhitë brenda shkollës, do e shikonte si diçka që rëndom ndodh në situata të tilla, por ndryshe për ne. Ai ambjent ishte pushtuar nga zëra të gëzueshëm fëmijësh, prindër krenarë për zgjedhjen e tyre por dhe të lumtur që mund të takoheshin mes bashkëkombasish. Domethënëse ishte prania e fëmijëve me një nga prindërit jo-shqiptar, të cilët kishin dëshirë që fëmijët e tyre t'iu flasin shqip gjyshërve shqiptar.
Sot festuam në korridorin e shkollës ditëlindjen e profesoreshë Adrianës, e cila u emocionua nga ky moment I veçantë që iu dhurua veçanërisht nga më të vegjëlit e komunitetit. I urojmë profesoreshës edhe shumë vite të tjera të shëndetshme e plot energji sepse është një shtyllë e rëndësishme e themeleve të shqiptarizmit në Kalgari.
Sot për sot kemi dy klasa: "Klasa e Yllkave" dhe "Klasa e Shqiponjave". Per shkak të numrit në rritje shpresojme shume që të arrijmë të krijojmë tre grupe, ku patjetër do rritet cilësia e mësimdhënies dhe do realizohen qëllimet që bordi i shkollës i ka venë vetes për këtë vit shkollor.
Kujtojmë komunitetin që Foleja përveç se është çerdhë e mësimit të gjuhës shqipe, është një mundësi për të mbajtur gjallë vlerat, forcuar komunitetin dhe një zë më I fortë ashtu të bashkuar ndër komunitet e tjera në qytetin tonë të Kalgarit.
Nëse dëshironi t'i bashkoheni kësaj fryme pozitive: "fol shqip e mbushe shpirtin me aromë atdheu" mos hezitoni, ju presim te:
"North Point-School for Boys"
2445 23 Ave SW, Calgary, AB T2T 0W3
Më poshtë keni disa fotografi nga aktiviteti i sotëm.
Shkruajti artikullin: Danjela Lumani Bregasi