Gëzim Dimnaku, Shkodrani në Calgary që thyen rekorde


Shkodrani modest që jeton në Calgary, bën krenar komunitetin Shqiptar këtu, ngase vazhdimisht thyen rekorde. I emigruar në Kanada në vitin 2007, tashmë ka bërë emër në atletikë në Kanada, në kategorinë Master (moshës mbi 40-vjeç).

Këtë vit, gjatë kampionatit të Amerikës Veriore, Qendrore dhe Carabean, ku njëkohësisht është mbajtur edhe kampionati kombëtar kanadez, atleti nga Shkodra, është shpallur kampion i kontinentit amerikan si dhe kampion i i Amerikës së Veriut dhe Kanadasë për kategorinë Master në kërcimin trehapësh, ku ka thyer rekordin e këtyre kampionateve.

Gjithashtu, këtë vit zuri vendin e tretë në botë për Master në kërcim së gjati, në Korenë e Jugut, edhe pse nuk ishte me përgatitje të mirë fizike, pasi që kishte pësuar një lëndim.

Është i nominuar për atlet për vitin 2017 në Alberta, ngase këtë vit ka thyer tre rekorde kombëtare kanadeze – dy në kërcim trehapësh dhe një në kërcim për së gjati.

Ende mban rekordin kombëtar shqiptar në trehapsh për salla të mbyllura, rekord i thyer në Dortmund të Gjermanisë në vitin 2002, ku ka qenë atlet nën kontratë me ekipin e Dortmundit, ku këtë rekord e ka barazuar edhe pas dy muajsh me ekipin kombëtar shqiptar në Kampionatin Ballkanik, në Athinë po atë vit.

Aktualisht përfaqëson Kanadanë, por ka qenë kampion absolut në garën e kërcimit së gjati dhe në trehapësh në Shqipëri.

“Kam frikë se disa janë bezdisur nga fanella me flamurin kanadez. Por unë do të garoja për Shqipërinë nëse do të bëhej një ftesë. Gjithashtu shoh një lloj indiferentizmi nga mediat shqiptare, që nuk i pasqyrojnë rezultatet e mia të atletikës. Unë kam vendosur rekorde në Gjermani, po ashtu dhe në Kanada, por dhe me flamurin Shqiptar. Nuk e them vetëm për veten time, por ka shumë shqiptarë që kanë rezultate kudo në botë. Ata duhen parë si krenari kombëtare”, shprehet Gëzimi, i cili këtë vit merr mirënjohje nga Shoqata Shqiptaro-Kanadeze në Calgary për veprimtarinë e tij sportive dhe afirmimin e komunitetit tonë këtu.

#sport #profil

Featured Posts
Recent Posts
Search By Tags
No tags yet.
Follow Us
  • Facebook Classic
1/4