top of page

Festë e paharruar për shqiptarët në Calgary


Të shtunën, më 2 dhjetor, në një atmosferë festive, shqiptarët e Calgaryt kremtuan 28 Nëntorin – Festën e Flamurit!

Edhe sivjet, festa u bë nën organizim të Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në Calgary, ndërsa të pranishëm ishim mbi 450 veta. Kënga dhe vallja nuk u ndalë deri pas mesnate.

Ishte një natë e paharruar për komunitetin tonë këtu, ngase atmosfera ishte tejet festive dhe e përcjellë me program të nduarduarshëm. Për muzikën u përkujdesën këngëtarja e njohur Valbona Mema dhe këngëtari me perspektivë Edi Ermeni.

“Ne si shoqatë kemi mundësi të kontribuojmë më shumë për komunitetin dhe kemi një përgjegjësi për të promovuar vlerat dhe kulturën shqiptare, por mbi të gjitha kemi një mundësi për t’i dhënë një zë komunitetit tonë këtu në Calgary. Gjatë këtyre dy viteve janë arritur shumë gjëra, jo vetëm duke bërë festa, por është hapur për herë të parë shkolla në gjuhën shqipe. Pikërisht këto fonde që do të mblidhen sot në këtë festë, do të shkojnë drejt zhvillimit të programit të Shkollës Shqipe”, tha drejtuesi i përkohshëm i Shoqatës, Ilir Kuqi, gjatë fjalës përshëndetëse.

Në mbrëmje u prezantua ecuria e Shkollës Shqipe, si dhe u shpërndan mirënjohje për individë që kanë kontribuar për Shoqatën dhe individë që janë vecuar me aktivitetet e tyre në Calgary.

Florije Dukagjinit iu nda pllaka e mirënjohjes për ndihmesën e dhënë me familjet e para shqiptare që kanë ardhur në Calgary dhe është shpalluat anëtare nderi e Shoqatës.

Për kontributin e dhënë në hapjen e shkollës së parë Shqipe dhe për dedikimin e tij për rihapjen e Shoqatës, kryetarit të deritanishëm të Shoqatës, Dorian Lando iu dha titulli Kryetar Nderi.

Gëzim Dimnakut iu nda mirënjohje për të arriturat e jashtëzakonshme në fushën e atletikës në Kanada dhe më gjerë. Por Dimnaku nuk ishte i pranishëm, ngase ishte në Edmonton po të njëjtën mbrëmje, duke marrë një shpërblim atje.

Flamur Hidës iu dha mirënjohje për kontributin e dhënë si drejtues i FC Albania, skuadra që bashkon Shqiptarët e rinj dhe që ka arritur majën e garimit në futboll në qytetin e Calgarit.

Edhe sivjet Shoqata shpërbleu tre sportistët e grupmoshave të reja të komunitetin tonë – Jorgji Qiro, Christian Vukaj dhe Domenick Arapi, të cilët kanë arritur suksese të jashtëzakonshme në sportin “Brazilian Jiu Jitsu” në nivel botëror.

Djaloshi 9-vjeçar, Eltik Cermjani, edhe sivjet u ngjit në skenë për të emocionuar shumë bashkatdhetarë. Kësaj radhe këndoi këngën “Zemër e Plagosur”, që përmalli të gjithë të pranishmit me zërin e tij të talentuar.

Ndërsa afrohej fundi i mbrëmjes shtohej edhe ahengu. Kështu dy këngëtarëve iu bashkuan me zërin e tyre edhe dy anëtarë të komunitetit tonë – çesk Dedaj dhe Kim Shllaku, të cilën ekzekutuan kolazhe nga të gjitha trevat etnike.

Featured Posts
Recent Posts
Search By Tags
No tags yet.
Follow Us
  • Facebook Classic
bottom of page