top of page

Dr. Adriana Fishta-Bejko shpallet “Ambasadore e Kombit”


Gjatë punimeve të Samitit të Diasporës, që u mbajt ditë më parë në Tiranë drejtoresha e Shkollës Shqipe “Foleja e Shqiponjave” në Calgary, Dr. Adriana Fishta-Bejko u nderua me çmimin “Amasadore Kombi” nga qeveria shqiptare.

Dr. Adriana Fishta-Bejko është prej vitesh një faktor në komunitetin shqiptar në Kanada. Prej shumë vitesh, ajo ka kontribuar për diasporën e Amerikës dhe të Kanadasë. Autore dhe të njëjtën kohë studiuese shkencore në fushën e përshtatjes së trurit me gjuhët e huaja, do të mjaftonte kaq për të kuptuar raportin e saj të ngushtë me librin. Dr. Fishta- Bejko ka zhvilluar një karrierë prej 44 vitesh në fushën e arsimit, dhe njihet si një mësimdhënëse e shkëlqyer. Misioni i saj i në fushën e arsimit, i ka kaluar herët kufijtë e Shqipërisë, që kur Dr. Fishta-Bejko besoi në vete se inteligjenca e thelluar ishte nëpër botimet e ndryshme. Kështu, Adriana Fishta-Bejko i është rikthyer disa herë dyerve të Universitete të ndryshme botërore për të pasuruar gradat e saj shkencore si dhe CV e saj. Lektore dhe pedagoge në mjaft Universitete botërore, si dhe folëse e prezantuese në mjaft konferenca ndërkombëtare, ajo është një ndër intelektualet më një përgatitje të veçantë në fushën e arsimit në përgjithësi dhe në mësimin e gjuhëve të huaja në veçanti. Prej vendosjes së saj në Calgary të Kanadasë në vitin (1997) 2003, ajo ka punuar si shefe katedre pranë University of Calgary dhe dretore e programit për studentët e huaj. Ajo është nominuar dhe nderuar disa herë me çmime të konsiderueshme për karrierën e saj pa harruar titullin “Teacher of the year” në vitin 2016 dhe "Lifetime Achievement në 2018”.

Ajo, në asnjë moment nuk e ka neglizhuar komunitetin shqiptar. Ajo i është përkushtuar gjuhës shqipe dhe gjeneron cdo herë dëshirën për tamësuar atë tek brezat e rinj duke i motivuar ata, ta duan gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Dr. Adriana Fishta-Bejko për Albanian Montreal Press vjen me një rrëfim, pa harruar edhe Festën e Nënës. Ajo, në këtë intervistë, tregon rrugëtimin e saj, bashkë më mijëra vështirësi se në të njëjtën kohë.

Ju jeni diplomuar për anglisht në Tiranë dhe keni magjistruar në fushën e drejtimit e shfrytëzimi të aftësive të trurit në mësimin e gjuhëve të huaja, a ka luajtur rol në hartimin e programeve specifike?

Kam patur fatin të punoj me gjuhët e huaja që në fëmijërinë time. Fakti që kam lindur në Shkodër, më ka dhënë mundësinë ta njihnim italishten që herët në lojrat tona si fëmijë ( kur ndaheshim në dy ekipe tonim "aj baj komestaj, dio mio kompanijo etj.) Më vonë në klasën e pestë, pata fatin që mësusja jonë e nderuar Valentina Rrapi të n'a mësonte me pasion gjuhën e bukur ruse të Tolstoit dhe të Gorkit. Më vonë në shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja, studiova Gjuhën dhe Letërsinë angleze, gjë që e kam vazhduar gjatë 50 viteve të fundit. Mësuesia ka qenë dhe vazhdon të mbetet profesioni me të cilin jam dashuruar që në fillim dhe vazhdoj t'a adhuroj edhe sot. Në vitin 1975, kam filluar punën si mësuese në shkollën “Demir Gashi” në Peshkopi, pastaj në shkollën e Gjuhëve të huaja dhe në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë. Nga viti 1989-1994, kam qenë inspektore e Arsimit për Gjuhët e huaja për Tiranën. Së fundi kam 25 vjet që vazhdoj të jem mësuese në Amerike dhe në Kanada. E gjithë kjo përvojë 44 vjeçare, më ka ndihmuar të kuptoj dy gjera: 1- mësuesit shqiptar janë të mrekullueshëm dhe po të kishin kushtet e shkollave kanadeze do te bënin mrekullira; 2- si programet tona shkollore edhe ato të perëndimit kanë mangësi. Njohja e këtyre mangësive më ka ndihmuar të hartoj një program "hibrid" që përfaqëson gjërat më të mira të dy programeve që i njoh mirë.

Përpos jetës suaj akademike, ju jeni marrë edhe me aktivitete të komunitetit shqiptar në Calgary, a janë të organizuar shqiptarët atje?

Varet se çfarë kuptojmë me organizim, sepse ky koncept përbën kuptim të ndryshëm për njerëz të ndryshëm. Shpesh herë njerëzit flasin për Diasporën dhe kuptojnë komunitetin. Autorë të ndryshëm e interpretojnë këtë koncept në mënyra të ndryshme por të gjithë bien dakord se- "të organizohesh apo të krijosh komunitete, do të thotë- ndërgjegjësimi i personit për të marrë pjesë aktive në komunitet duke u antarësuar dhe kontribuar për të. Në Kalgari ka përpjekje të dukshme dhe me vizion e qartë nga Bordi i Shoqates shqiptaro-kanadeze, e cila po arrin disa objektiva të mrekullueshme si ngritja e flamurit, ideja për të ndërtuar Shtëpinë e Shqiptarit, shkolla shqipe etj, por ne, mërgimtaret duket sikur nuk gjejmë dot kohën për t'u bërë antarë të komunitetit apo për të dhënë kontributin tonë për forcimin e komunitetit. sipas të dhënave jo fort të sakta. Në Kalgary jetojnë të paktën 500 familje shqiptare, por vetëm 50 prej tyre janë antarë të shoqatëes zyrtarisht! Ku janë 450 familjet e tjera?! Pra mbetet shumë për të bërë që të tregojmë mbështetjen tonë për Bordin e Shoqatës.

Zonja Fishta-Bejko, ju jeni një intelektuale që veproni në perëndim prej vitesh. Si e shihni ju diasporën shqiptare?

Koncepti "Diasporë" do të thotë që kemi një farë (spore) që është ndarë nëdysh (dia) dhe është shpërndarë. Pra në rastin tonë, ne jemi gjysma në Shqiperi dhe gjysma në Kanada. Varet nga secili individ se cilën gjysmë e ka në Kanada dhe cilën në Shqipëri. Disa individë duan të bëhen "kanadez" edhe me pa hir ose në mënyrë të sipërfaqeshme dhe kjo bëhet në kurriz të gjysmës që i takon të jesh shqiptar. Me keqardhje e them këtë, por këto njerëz humbin identitetin e tyr , sepse kanë frikë se nuk po integrohen në shoqërinë kanadeze dhe harrojnë që janë shqiptar. Përndryshe, si mund të shpjegohet që nga të dhëna jo zyrtare ne kemi në Kalgari rreth 600 fëmijë të moshës shkollore, por vetëm 30 janë të rregjistruar në shkollen "Foleja e shqiponjave"? Prinderit pretondojnë se po të flasin shqip me fëmijët do t'i pengojnë të mësojnë anglishten e dokrra të tjera. Në fakt, shkenca pedagogjike ka vërtetuar se sa më të forta të jenë njohuritë në gjuhën e nënës, aq më e lehtë është të mësohet anglishtja, pasi truri i ka krijuar modelet gjuhësore dhe fëmija i tranferon ato me lehtësi nga një gjuhë në tjetrën. Pra, lind pyetja: A kemi një shoqatë dhe kemi një shkollë shqipe dhe as 20% e shqiptarëve nuk janë të angazhuar në to. A mund të quhet Diaspora e Kalgarit e organizuar?

Sipas jush, cili është reputacioni i gruas dhe i të rinjve shqiptarë në komunitetin kanadez?

Gratë shqiptare në Kalgari, si dhe të gjitha gratë në emigracion, janë heroina. Ato me dinjitet dhe trimëri e nikoqirllëk bëjnë që familjet tona të jenë kompakte, fëmijët të gjejnë ngrohtësinë e nënës dhe gatimet e shijshme në familjen e tyre. Në Kalgari ne kemi një numër inxhinierësh, ekonomistësh, mësuesesh, mjekësh, sociologësh të cilët kane studiuar dhe konvertuar diplomat e Shqipërisë apo të Kosovës në diploma kanadeze. Kemi dy doktoresha shkencash (psikologji dhe arsim) dhe një kandidate për doktoraturë (soiologji). Ka të rinj shqiptarë që kanë arritje në fusha të ndryshme, por që nuk janë shumë të interesuar për t’u bashkuar me shoqatën.

Cili është mesazhi juaj në ditën ndërkombëtare të gruas?

Mesazhi im për shqiptaret e nderuara është jemi të mrekullueshme, të mençura dhe të bukura. Por ka ardhur koha të bashkohemi me njëra-tjetrën dhe të mësojmë prej njëra-tjetrës. Lirija e gruas është shumë me e gjerë se mbledhja për 8-marsin për të ngrënë dhe për të kërcyer. Ajo është shumë më e gjerë se fustanet e shtrenjta apo çantat firmato. Ka ardhur koha të shohim "elefantin në mes të dhomës" - shumica jonë i rrezistojmë shkollimit, i rrezistojmë pjesëmarrjes në shoqatat shqiptaro- kanadeze dhe kujtohemi vetëm për të marrë pjesë në ahengjet dhe hajgaret për Festën e Flamurit apo Festën e Gruas. Le të shtojme pak "substancë" në tubimet tona; të mos kemi vetem moton "hajgare dhe ha" (le t'a lemë këtë kur mblidhemi për Vitin e Ri), por t'a kthejmë "hajgare, ha dhe mëso". Kemi shumë gjera për të mësuar; si të rritim fëmijë të mirë, cilat janë shenjat e kancerit të gjirit, simptomat e menopausës, dhuna në familjet, zgjedhja e degëve në Universitet, punësimi, apo pyetjet e intervistes së punës. Le t'a kthejmë vitin 2019, në vit të festimit të arritjeve të shqiptarëve në Kanada me moton "Gëzohem për ty!"


Featured Posts
Recent Posts
Search By Tags
No tags yet.
Follow Us
  • Facebook Classic
bottom of page