top of page

Foleja e Shqiponjave vjen ndryshe pranë komunitetit të Kalgarit


“Foleja e Shqiponjave” do vijë ndryshe pranë fëmijëve shqiptarë në qytetin e Kalgarit. Do hapë dyert e saj dhe do i ftojë fëmijët t’i bashkohen njëri-tjetrit duke patur në mendje dhe në fokus interesin e tyre. Pas një takimi të realizuar nëpërmjet profesoreshë Dr Bejko dhe mësueseve të shkollës, Zoica Dhamo dhe Danjela Lumani (Bregasi) u vendos që plani mësimor ku do mbështetet “Mësojmë Shqip” t’i përshtatet kurrikulës kanadezë të të nxënit të hershëm i cili ka si fokus qëllimet holistike më shumë se sa rezultatet në lëndë specifike. E thënë kjo, foleja do përqëndrohet te interesat e fëmijëve, komunikimin e vazhdueshëm e të ndjeshëm me familjet e secilit fëmijë pasi është domethënëse ambjenti, kultura dhe tradita nga e cila vjen secili prej tyre. Si dhe do i jepet një rëndësi e veçantë ambjentit, materialeve mbështetëse dhe projekteve konkrete. Mësuesi në këtë rast nuk do të jetë ai drejtuesi i orës së mësimit por një lehtësues i procesit të mësimit të gjuhës shqipe duke i ofruar një ambjent, i cili e fton të përfshihet, eksplorojë, fantazojë dhe krijojë-interpretojë në gjuhën shqipe, duke i vënë theksin në këtë rast komunikimit në gjuhën mëmë. Mësimi do të zhvillohet në një ambjent të ngrohtë, sa më afër botës së fëmijës dhe sipas moshës do i ofrohen materiale, lodra apo lojra të cilat do e i japin kurajo e dëshirë të njohë veten, aftësitë dhe potencialet përtej gjuhës që përdoret në përditshmërinë e tyre, por në gjuhën që ia dikton ambjenti-ky mësues i heshtur por shumë i rëndësishëm për t’ia përshtatur interesit dhe prirjeve të çdo fëmije.

Bordi i “Folesë së Shqiponjave” fton prindërit apo të afërmit e fëmijëve, të cilët janë të interesuar t’i rregjistrojnë fëmijët te shkolla shqipe t’i drejtohen shoqatës nëpërmjet emailit ose me mesazh te llogaria e shoqatës në Facebook për informacione të mëtejshme.


Ndërkohë, shoqata “Albanian-Canadian Association of Calgary” për të mbështetur këtë projekt të bordit të shkollës do hapë një llogari te “gofundme” në mënyrë që të kontribuojnë të gjithë ata të cilët kanë dëshirë ta shohin këtë projekt të bëhet realitet dhe që gjuha, kultura dhe tradita shqiptare të vazhdojë të lulëzojë qoftë dhe larg rrënjëve të veta, sepse në këtë mënyrë kemi mundësi të përçojmë vlerat tona të brezat e pasardhës. “Foleja e Shqiponjave” është e interesuar para së gjithash që të ftojë në folenë e saj fëmijë të cilët do gjejnë një ambjent të ngrohtë, që do ngjallë te ata kuriozitet, dëshirë për të eksploruar e krijuar e gjitha kjo të mund të përkthehet në fëmijë të cilët do largohen jo vetëm më me vetbesim gjatë komunikimit të tyre në gjuhën shqipe por të lumtur dhe me dëshirën për t’u rikthyer sërish për të zbuluar më shumë rreth vetes, ambjentit dhe bashkëmoshatarëve nga i njëjti komunitet.


Photo credit: "Little Mini Lighthouse Family Daycare"

Reference:

Flight: Alberta's Early learning and Care Framework (Makovichuk et al., 2014) Crowther, I. (2015)

Shkruajti artikullin: Danjela Lumani Bregasi







Featured Posts
Recent Posts
Search By Tags
No tags yet.
Follow Us
  • Facebook Classic
bottom of page