top of page

Komuniteti shqiptar i Kalgarit prezantohet te kryeministri Z. Jason Kenney


Sot u zhvillua një takim mbresëlënës mes kryeminstrit të Albertës dhe kryetarit të shoqatës Shqiptaro- Kanadeze “Albanian-Canadian Association of Calgary" z. Ilir Kuqi dhe një prej biznesmenëve të komunitetit tonë z. Arti Agolli. Gjatë bisedës z. Kenney tregoi që kishte njohuri rreth të shkuarës së popullit shqiptar dhe lirive të privuara gjatë periudhës së diktaturës në Shqipëri deri në vitet ’90 si dhe vështirësitë që hasi populli shqiptar i Kosovës gjatë dhe pas luftës. Z. Kenney tregoi mirënjohje për komunitetin shqiptar për kontributin e tyre si qytetarë të denjë të Albertës sidomos gjatë periudhës së paprecedentë të pandemisë. Z. Kuqi dhe z.Agolli vunë në dijeni kryeministrin për vështirësitë që hasën bizneset e komunitetit të shqiptarëve por edhe duke e falenderuar për mbështetjen që dha qeveria e tij. Ndërkohë z. Kenney premtoi që Alberta nuk do të ketë më kufizime përsa i përket COVID-19, lajm i cili është i rëndësishëm për mbarëvajtjen e bizneseve pas një periudhe relativisht të gjatë vështirësish.


Ky takim i rëndësishëm bëri të mundur njohjen e komunitetit shqiptar pranë instancave më të larta të qeverisë së Albertës, ku dhe përmendim gjithashtu takimin e realizuar me Ministrin e Kulturës z. Ron Orr dhe Ministrin e Punës Z. Jason Copping.


Gjatë këtij takimi u theksua që komuniteti shqiptar në Calgary është një komunitet relativisht i madh me rreth 5 mijë qytetarë dhe rreth 8 mijë të tillë në gjithë Albertën.


Ky takim i rëndësishëm për nga lloji i vet tregon që komuniteti shqiptar luan një rol të rëndësishëm në çdo aspekt duke përfshirë këtu edhe vendimmarrjen. Në mbyllje të këtij takimi z. Kuqi ftoi z. Kenney të marrë pjesë në ceremonitë festive si ajo e Pavarësisë së Shqipërisë në 28 Nëntor, Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt, apo festat e fundivitit të cilat i pranoi me kënaqësi.

Shkruajti artikullin: Danjela Lumani Bregasi

Featured Posts
Recent Posts
Search By Tags
No tags yet.
Follow Us
  • Facebook Classic
bottom of page