top of page

Një ngjarje për t'u kujtuar gjatë në Kalgari



Data 3 dhjetor mblodhi të madh e të vogël nga komuniteti shqiptar për të festuar së bashku festën e Pavarësisë apo e njohur ndryshe si festa e flamurit. Festë e cila u organizua nga kontributi vullnetar i anëtarëve të shoqatës "Albanian-Canadian Association of Calgary". Rreth 550 pjesmarrës mbushën sallën e madhe të Rajveer Banquet Hall, aty ku mbizotëronte melodia dhe këngët e bukura tradicionale shqiptare, të sjella me mjeshtëri nga Ylli Baka dhe Albërie Hadërgjonaj. Pritja e pjesmarrësve nisi rreth orës 6 të mbasdites dhe në orën 8pm u prezantua një program i shkurtër nga tre vajza të mrekullueshme të komunitetit tonë të cilat flisnin një shqipe të kulluar. Anxhela la qytetin e Durrësit kur ishte vetëm 6 vjeçe, ndërsa Arena dhe Arrita të lindura në Kalgari por që shkojnë çdo verë në Gjakovën e tyre. Ato me krenari dhe shumë dëshirë u bënë pjesë e spektaklit duke na dhuruar momente të këndshme.




Programi u nis me një video të shkurtër nga filmi "Nëntori i Dytë", momenti emocionues kur Ismail Qemali dhe Isa Boletini së bashku me çetat e tyre bashkohen për të ngritur flamurin në 28 Nëntor 1912, video e cila u përgatit nga Julia Bejko, zevendës presidentja e shoqatës.

Më pas pjesmarrësit ftohen të ngrihen në këmbë për të kënduar himnin e flamurit të kombit shqiptar dhe himnin e flamurit të vendit tonë bujtës Kanadasë, të cilit i jemi mirënjohës.

Pjesmarrësve iu kërkua me përulësi të mbanin pak momente heshtje për ata/ato bashkëkombas të cilët i njohëm, dhe ndamë momente gëzimi bashkë, dhe që fatkeqësisht u ndanë nga jeta këto dy vitet e fundit.




Presidenti i shoqatës "Albanian Canadian Association of Calgary" z. Bledi Elshani, ftoi në podium ministren Rajan Sawhney, e cila u ndje e respektuar dhe e vlerësuar nga komuniteti ynë për ftesën që ỉu bë. Një nga arsyet pse e pranoi këtë festë ishte pikërisht lidhja e veçantë që ka patur ajo me Shqipërinë dhe në veçanti me Fierin ku ka jetuar per pak kohë vajza e saj.






Më pas vajzat prezantuese ftuan Inda Pirolin, menaxheren e marketingut të shoqatës ACAC, e cila prezantoi te pjesmarrësit projektet risi të shoqatës siç ishin anëtarësimi në shoqatë, dhe përfitimet e komunitetit nga fondet e mbledhura siç është mbështetja financuese e shkollës shqipe dhe blerja e shtëpisë së shqiptarit, e cila do i japë mundësi komunitetit të ketë qendrën e vet të organizimit të ngjarjeve të ndryshme dhe zhvillimin e mësimit të shkollës "Foleja e Shqiponjave".



Një vend të veçantë e domethënës gjatë programit mbajti dhënia e pllakave të mirënjohjes përkatësisht: Ilir Kuqit, Saimir Budo, Anila Sinani.

Ilir Kuqit dhe Saimir Budos per kontributin e tyre të çmuar në komunitet edhe pas mbarimit të mandatit të tyre në shoqatë. Ndërsa për znj. Anila Sinani, u vlerësua puna e saj vullnetare për të mësuar vallet popullore fëmijëve të shkollës "Foleja e Shqiponjave". Për shkak se Anila u largua pak më herët, dhe nuk mund t'i dorëzohej pllaka e mirënjohjes atë natë, do i dorëzohet te shkolla shqipe ditën e shtunë.








Gjatë programit u shfaq një video falenderuese ndaj të gjitha atyre bizneseve të cilat e kanë mbështetur financiarisht shoqatën nëpërmjet sponsorizimeve.





Są i përket sponsorizimeve, një tjetër risi e marketingut ishte paraqitja e tre bizneseve, dy prej të cilat kishin tavolinën e tyre pritëse, me një poster të madh reklamues, dy prej të cilave të përgatitura nga menaxherja e marketingut Inda Piroli.

Najada Abedini, Astrit Martinaj dhe Petrit Belishaku ishin sponsorët eksluzive të festës.






Pas përfundimit të programit, siparin e këngëve e hapi Ylli Baka me muzikant Ilirin, dhe në piste iu bashkuan një valleje madhështore të gjithë adhuruesit e perlave të tij. E njëjta atmosferë festive e plot hare u përcoll nga Albërie Hadërgjonaj e cila ngriti peshë publikun dhe po aq entuziasëm dhe pasion per vallet tona popullore sollën këngët e kënduara nga dy gjigandët e muzikës tonë.





Një dhuratë e këndshme, e cila pasqyroi harenë dhe atmosferën festive të asaj nate ishin fotografitë e ardhura nga fotografët Bujar Ugzmajli dhe Marsela Bandilli Kola, të cilët na bënë të rikujtojmë të fiksuara në objektiv momentet magjike të asaj nate.

Një mikeshë e shqiptarëve ishte znj. Catherine e cila shijoi jo vetëm muzikën por edhe shoqërinë e shqiptarëve miqësorë.



Festa të tilla treguan edhe një herë që nuk ka rëndësi se ku shqiptarët kanë lindur apo jetojnë, ata festojnë shqip dhe ndjehen shqiptarë në gjak, traditë e kulturë edhe matanë oqeanit, në një qytet ku dimri është spektakël, sfidë dhe luks, në Kalgarin tonë mikpritës.

Pas një pushimi të shkurtër, bordi i shoqatës "Albanian Canadian Association of Calgary", do nisë përgatitjet dhe organizimin për festën tjetër madhështore, Festën e Pavarësisë së Kosovës.

Bordi i shoqatës i kryesuar nga Bledi Elshani, i cili motivon dhe frymëzon anëtarët e shoqatës Arshimin, Denisin, Marigonën, Mimozën, Indën, Julian dhe Ledion për të ecur para si një skuadër e cila qëllimin kryesor ka të lartësojë e të ruajë vlerat tona kombëtare me mbështetjen e vyer të komunitetit.


Njoftojmë komunitetin që fondet e mbledhura nga festa e Pavarësisë do ruhen për shkollën shqipe dhe për blerjen e shtëpisë së shqiptarit,


Përgatiti shkrimin: Danjela Lumani Bregasi









Featured Posts
Recent Posts
Search By Tags
No tags yet.
Follow Us
  • Facebook Classic
bottom of page