top of page

Vota e diasporës, e drejtë e padiskutueshme


Në Atdhe njeriu ka edhe të shkuar edhe të ardhme…… Në vend të huaj ka vetëm të tashme !

Shqipëria historikisht ka qënë një vend diasporik dhe diaspora ka luajtur një rol të rëndësishëm në periudha të veҫanta historike, kur vihej në rrezik vetë pavarësia e Shqipërisë si shtet. Por për vite me radhë gjatë shekullit XX Shqipëria nuk e njohu emigracionin e jashtëm. Kurbeti si fenomen është skalitur në folklorin tonë si një plagë shoqërore historike. Emigrimi (kurbeti) konsiderohej si një fatkeqësi familjare…. Dhe ndoshta i tillë është edhe sot, kur shihen fshatra të tëra të mbetur vetem me plaka dhe pleq që shohin derën se kur do t’u kthehet vajza apo djali nga emigracioni që të kënaqen me nipër dhe mbesa, që shpesh herë nuk u flasin as në gjuhën shqipe.

Në 30 vitet e fundit emigracioni ka marrë përmasa marramendëse. Në mungesën e një statistike të saktë, si në vendin tonë, por edhe në vendet pritëse, ku ka shumë emigrantë të pa legalizuar, mendohet se 1/3 popullsisë së Shqiperisë jeton jashtë kufijve shtetëror të Republikës së Shqipërisë. Tashmë emigracioni nuk konsiderohet më si një plagë, me gjithë problemet e shumta që mbart në vetëvete, por si një zgjidhje sociale në kërkim të një jete më komode. Megjithatë, ky numër bijësh e bijash, rreth 1.64 milion ose 36% e popullsisë në diasporë, vazhdojnë t’i mbajnë lidhjet me vendin Amë dhe kontribojnë për të në mënyra të ndryshme.

Të ardhurat nga emigracioni në periudhën e 1990-2020 kanë ëmbëlsuar bukën e shumë familjeve shqiptare. Roli pozitiv i diasporës në ekonominë e Shqipërisë, si me remitancat të cilat janë shumë më të larta se sa investimet dhe eksportet e vendit, ashtu edhe me të ardhurat që i sjellin bizneseve te vogla janë një ndihmë e madhe për ekonominë e brishtë të Shqipërisë. Një ndihmë të madhe jep emigracioni edhe me ndihmat që shqiptarët dergojnë në raste fatkeqesish, siҫ ishte rasti i tërmetit. Në këtë kontekst, fakti që ҫështja e të drejtës së votës të kësaj pjesë të bashkëkombasve nuk është zgjidhur dhe as nuk u përmend në mbledhjet Këshillin Politik të palëve politike në maj të këtij viti është e pafalëshme dhe cungon proçesin politik në Shqipëri.

A kanë menduar qeveritë e këtyre 30 viteve të fundit që këta shtetas shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë kanë disa të drejta që ua garanton Kushtetuta, ligji themeltar i shtetit tonë?

Të gjitha qeveritë që kanë ardhur në pushtet, shtetasve shqiptarë me të drejtë vote që banojnë jashtë vendit nuk ua kanë mundësuar këtë të drejtë prej mëse 30 vitesh, ndërkohë që shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë Veriore prej kohësh kanë mundësi të votojnë edhe kur banojnë jashtë shtetit të tyre.

A ka dispozita ligjore që u garantojnë shtetasve me banim të përhershëm apo të përkohshëm jashtë vendit të drejtën për të votuar?

“De jure”, në letër e drejta e votë garantohet, por “de facto” asnjëra nga qeveritë në pushtet nuk ka krijuar kushtet dhe mekanizmat që kjo e drejtë të bëhet realitet. Që në vitin 2008, kur u referohet emigrantëve, kushtetuta shprehet se:

“Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet.”

Ajo shton se:

“Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë (për të votuar) shtetasve shqiptarë që punojnë dhe jetojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare.”

Pra, siҫ shihet, askush nuk po i bën ndonjë privilegj diasporës, sepse e drejta e votës i garantohet asaj me ligj kushtetues. Ӗshtë e pafalëshme që për 30 vjet shteti nuk e kanë zbatuar këtë detyrim ligjor ndaj diasporës duke shkatuar një “krim” kushtetues ndaj saj. Shumë vende të botës e kanë zgjidhur këtë me votim në mënyrë elektronike, me votim në ambasada apo me anë të postës. Arsyeja për këtë është e qartë – krijimi i mundësisë së votimit për ҫdo shtetas, pavarësisht vendit të qëndrimit të tij në ditën e votimit. Pra, në aspektin e ligjit themeltar të shtetit, Kushtetutës, jemi në rregull! Atëherë, ҫfarë i pengon shtetasit jashtë atdheut të votojnë? Gjuha angleze ka një shprehje domethënëse, “The devil is in the detail”, tek detajet qëndron problemi. Pra, puna ҫalon tek pergatitja e dispozitave nën-ligjore dhe zgjedhja e mekanizmit të duhur që u krijon shtetasve mundësinë të votojnë aty ku jetojnë. Ḉfarë ka ndodhur tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ)? Ligjet e hartuar prej tyre deri tani, jo vetëm nuk parashikojnë ndonjë dispozitë konkrete mbi mënyrën e votimit nga kjo kategori e zgjedhësve, por krijojnë edhe pengesa (me dashje apo pa dashje, t”a gjejnë ata vetë!) me ndërtimin e ligjit të Kodit Zgjedhor.

Ky ligj i jep të drejtën për të votuar ҫdo shtetasi me kusht që:

a) Të ketë nënshtetësi shqiptare;

b) Të ketë mbushur 18 vjeҫ, qoftë edhe në datën e zgjedhjeve;

c) Të mos jetë shpallur me vendim gjygjësor të formës së prerë si i pazoti për të vepruar;

d) Të jetë i rregjistruar në rregjistrin e gjëndjes civile;

e) Të rregjistrohet si zgjedhës në listën e vetëm një qëndre votimi;

f) Të ketë vendbanimin e regjistruar në territorin e një prej zonave të qendrave të votimit.

Pika (f), si një nga kriterit e votimit përbën një pengesë të padrejtë dhe cënon votimin e shtetasve shqiptarë me banim në vende të huaja. Megjithëse, shtetasit me banim jashtë vendit i plotësojnë të gjitha kushtet për të votuar, fakti që ata kanë një adresë banimi të përhershëm apo të përkohshëm që nuk është “në territorin e një prej zonave të qendrave të votimit”, u heq të drejtën për të votuar. Pra largësia gjeografike nga vendi Amë i privon nga e drejta e garantuar në kushtetutë! Ligji themelor i shtetit përcakton detyrimin e autoriteteve përgjegjëse për të krijuar lehtësitë për votimin e diasporës, por Kodi Zgjedhor e “përmbys” atë duke vënë kufizimin e vendbanimit të shtetasit që voton si kusht për të votuar. Populli ynë ka një fjalë të urtë që thotë “ I zoti ta shet, tellalli s’ta jep!”; kushtetuta ta jep të drejtën, kodi zgjedhor ta heq!!!

Kjo tregon qartë që ne kemi një bazë ligjore që nuk ështe aspak koherente dhe askush nuk ka marrë mundimin deri tani të japë ndonjë justifikim për kufizimin e kësaj të drejtë për 30 vjet. Kuptohet që garantimi i së drejtës së votës së shtetasve shqiptarë jashtë atdheut paraqet disa vështirësi. Por me një vullnet të mirë ato nuk janë të pakapërcyeshme dhe zbehen përballë argumenteve në favor të garantimit të së drejtës së votës. Dikush duhej t’a hulumtonte këtë problem dhe të bëhej zëri i diasporës.

Këtë detyrë jo të lehtë e mori përsipër Këshilli Koordinues i Diasporës (KKD), i cili e ngriti si problem qysh në takimin e formimit të tij, me 19 Dhjetor 2019. Gjatë këtyre 6-muaj të veprimtarisë së tij, KKD ka punuar me shumë përkushtim për të kuptuar aspektin ligjor dhe për të identifikuar “ngërҫin” që e shkaktonte këtë padrejtësi. Në Dhjetor 2019, KKD organizoi takime me perfaqësuesit e të gjitha forcave politike, ku kërkoi zgjidhjen e këtij problemi. Të gjitha forcat politike premtuan vullnetin e mirë për zgjidhjen e problemit dhe garantuan se diaspora do të votojë në zgjedhjet e vitit 2021. Shumë të lumtur, antarët e KKD -Së prisnin zgjedhjen e mekanizmit dhe të diskutoheshin detajet e mënyrës së votimit të shtetasve jashtë atdheut. A do të votonte apo jo diaspora në 2021, as nuk diskutohej, sepse na ishte premtuar. “Çudia” ndodhi në mbledhjen e fundit të muajit Maj 2020, kur tryeza e rrumbullaktë e Këshillit Politik diskutoi shumë gjëra për kërkesat e tyre për reformën e Kodit Zgjedhor, por nuk u tha asnjë fjalë për Votën e Diasporës. Na kishin lënë “prapa liste, si Lipe Shtogun”. Kjo ishte një neglizhencë dhe besëprishje e paparë për diasporën dhe KKD. Dhe këtu filloi “beteja” për ngritjen e zërit për të drejtën e diasporës. Për këtë, KKD i u drejtua Parlamentit, Presidentit, Qeverisë dhe forcave politike me një petición. Si në petición ashtu edhe ne takimet e pafundme 5 javët e fundit KKD konsideron si shqetësuese faktet:

  • Jemi rreth 1.64 million shqiptarë në diasporë dhe kërkojmë të drejtën kushtetuese për të na dëgjuar zërin në zgjedhjet e vitit 2021.

  • Shqipëria nuk u ka mundësuar shtetasve të saj jashtë territorit të vendit të drejtën e votimit. Ky nënvlerësim bëhet kur janë rreth 115 shtete në botë dhe 41 në Europë, të cilat u lejojnë shtetasve të tyre të votojnë jashtë vendit. Pjesa më e madhe e këtyre vendeve, nuk ka një migracion kaq të madh në raport me popullsinë sa Shqipëria.

  • Nëse marrim parasysh numrin tepër të lartë të shtetasve shqiptarë jashtë atdheut vlerësohet se zgjedhjet shqiptare dhe rrjedhimisht institucionet që dalin prej tyre, janë me “legjitimitet” të cunguar pa votën e diasporës.

  • Gati gjysmës së votuesve, shtetas të Shqipërisë, aktualisht ju mohohet e drejta e votës. E drejta e votës së lirë, të fshehtë dhe të barabartë është një nga të drejtat themelore dhe të patjetërsueshme të njeriut, e njohur si e tillë nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut. Kjo deklaratë nuk e përmend votimin jashtë vendit si një pjesë integrale të së drejtës së votës.

  • Konventa të mëvonshme, si Konventa Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Migrantëve e vitit 1990, (e cila është nënshkruar dhe nga Shqipëria), u njeh migrantëve të drejtën e pjesëmarrjes në votime në shtetin e tyre të origjinës, ashtu siç parashikon detyrimin e shtetit të origjinës që t’u krijojë atyre mundësinë për të ushtruar të drejtën e votës.

  • Kushtetuta e Shqipërisë parashikon dy kushte themelore për të drejtën e votës: atë të shtetësisë dhe atë të moshës 18 vjec në ditën e votimit (neni 45 i Kushtetutës) dhe nuk ka si kusht vendbanimin.

  • Mbrojtja e të drejtave dhe gëzimi “de facto” i të drejtave kushtetuese nga shtetasit shqiptare, përfshirë ndër to edhe e drejta e votës, kërkon marrjen e masave shtesë të organeve shtetërore, të cilat rregullohen me aktet ligjore dhe nënligjore specifike.

  • Ligji për Emigrimin e Shtetasve Shqiptarë për Motive Punësimi parashikon si qëllim të tij përkujdesjen, mbrojtjen, ruajtjen e identitetit kombëtar të shtetasve shqiptarë dhe forcimin e lidhjeve me vendin e origjinës (neni 11 Ligjit për Emigrmin Shtetasve Shqiptarë Për motive Punësimi).

  • Ai ligj riafirmon të drejtën e përfaqësimit të emigrantëve nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur të organizatave dhe shoqatave të tyre, të drejtën për të kontaktuar dhe bashkëpunuar me organet e qeverisjes qendrore dhe vendore të shtetit shqiptar, si dhe me përfaqësitë diplomatike e konsullore të Republikës së Shqipërisë në vendet pritëse, për të shprehur dhe mbrojtur interesat e tyre, duke respektuar dispozitat ligjore në fuqi (neni 7 i Ligjit Per Emigrimin…).

  • Pas vitit 1990 janë të paktën 1.5 milionë shqiptarë që ikën nga vendi i tyre për të nisur një jetë tjetër larg Shqipërisë, por gjithmonë me kokën pas për vendin Amë që lanë.

Premtimin për votën e diasporës, Kryeministri Rama e bëri në Samitin e Diasporës në Tiranë disa vite më parë dhe zgjedhjet e vitit 2021 ishin një synim i afërt. Por as Lulzim Basha nuk ngeli pas në këtë premtim. Por çfarë ndodhi? Diaspora u zhgënjye në faktin që deri sot akoma nuk është e sigurtë nëse diaspora do të votojë vërtetë në vitin 2021 dhe askush nuk jep një arsyetim bindës për mosmbajtjen e fjalës. Dy partitë e mëdha PS dhe PD kur janë në qeveri duan vetëm paratë e emigrantëve por nuk bëjnë shumë për të mundësuar votën e tyre. Mos vallë arsyeja është se politika nuk ka mundësi ta manipulojë votën e emigrantëve, e cila me gjasa është e aftë të shkatërrojë mbizotërimin e dy partive më të mëdha tradicionale PS dhe PD në Shqipëri? Më në fund, si rezultat i presionit të KKD dhe të mbështetur nga forca të tjera të shoqërisë civile, në mbledhjen e datës 25 qershor, 2021, Këshilli Politik deklaroi se palët janë rënë në konsensus të plotë që t’i lihet KQZ dhe të mund të sigurohet vota e diasprës për 2021. Edhe PD e LSI thanë se me këtë kod u arrit të sigurohej vota e shqiptarëve me banim jashtë kufijve dhe se nuk do të ketë tjetërsim të saj. Lind pyetja, a mund t’u besohet premtimeve dhe retorikave të politikanëve? Megjithëse jemi optimistë se diaspora do të votojë në 2021, mbetemi me syhapur që të mos lemë asnjë shteg ku të përdoren mënyra për të na futur shkopinj në rrota në realizimin e votës së diasporës. Beteja nuk ka përfunduar, ajo do të vazhdojë deri në sjelljen de facto të votës së diasporës në kutitë votimit.


Featured Posts
Recent Posts
Search By Tags
No tags yet.
Follow Us
  • Facebook Classic
bottom of page