top of page

Ambasadori I Shqipërisë fton bizneset në Kalgari në një takim miqësor virtual








Ditën e diele, 30 Maj, 2021 në orën 10:00 am u zhvillua takimi me temë “Bizneset në Kalgari” e cila u drejtua nga z. Ilir Kuqi, kryetar i shoqatës “Albanian-Canadian Association of Calgary”. Pavarësisht se për shkak të kufizimeve që erdhën si pasojë e pandemisë, komuniteti shqiptar nuk ka patur mundësi të mblidhet në aktivitete të ndryshme, shoqata me anë të faqes elektronike, rrjeteve sociale, është përpjekur ta mbajë të informuar komunitetin për sa i përket rregullave të pandemisë të vendosura nga provinca, vënien në dijeni të komunitetit për bizneset shqiptare që operojnë në Kalgari, produktet dhe shërbimet cilësore që ofrojnë ata. Një tjetër pikësynim i shoqatës ka qenë edhe mbështetja e të rinjve, qofshin ata të sapodiplomuar apo sipërmarrës të rinj”-tha z. Kuqi.

Pas prezantimit të shkurtër, z. Kuqi ia la fjalën Z. ambasador Ermal Muca, i cili kujton me shumë respekt dhe mirënjohje mikpritjen që iu bë shkëlqesisë së tij për festën e organizuar me rastin e Festës së Pavarësisë në vitin 2018. Ai përgëzoi gjithashtu edhe përpjekjet për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqipe, ku një rol domethënës luan edhe Foleja e Shqiponjave, bashkëpunimi mes prindërve të fëmijëve, mësueseve të shkollës dhe komunitetit në tërësi. Një vlerë e shtuar jo vetëm për komunitetin tonë këtu në Kalgari, veçoi z. ambasador, është pjesmarrja aktive, intelektuale dhe atdhetare e Doktores së Shkencave, Adriana Fishta. Z. Muca theksoi se për shkak të kufizimeve të paprecedenta, takimet e realizuar me organizma të ndryshme në diasporë janë kryer virtualisht dhe kanë qenë një burim frymëzimi për të vijuar dhe çuar më tej koordinimin me organizatat dhe komunitetin në diasporë, çka përbën edhe një nga shtyllat prioritare të angazhimit të tij dhe aktivitetit të gjithanshëm të përfaqësisë shqiptare nw Kanada.

Fjalën e mbajti më pas Dr. Adriana Fishta, ku vuri theksin në rëndësinë e mbështetjes së biznesit shqiptar. Përgëzoi në veçanti zonjat pjesmarrëse në takimin virtual duke iu uruar suksese në sipërmarrjet e tyre relativisht të reja. Dr Fishta theksoi se duhet menduar në mënyrë sa më kreative për të propoganduar dhe mbështetur biznesin secilit prej bashkëatdhetarëve, ku dhe sugjeroi të ftojmë miq e të njohur që të frekuentojnë shërbimet e bizneseve shqiptare si dhe krijimin e një numeratori telefonik me numrat e bizneseve shqiptare për komunitetin.

Dr. Fishta veçoi rëndësinë e padiskutueshme të mbështetjes së prindërve për të rregjistruar fëmijët te shkolla shqipe për të vazhduar kështu transmetimin e vlerave, kulturës, traditës tonë nëpërmjet ruajtjes së gjuhës shqipe. Ajo lajmëroi hapjen e shkollës në shtatorin e këtij viti me shpresën që do kemi sa më shumë pjesmarrje dhe bashkëpunim të komunitetit. Dr. Fishta kujtoi çështjen e pajisjes me pasaporta shqiptare të nënshtetasve shqiptare me banim ne Kanada pranë ambasadës shqiptare ne Otava, e cila kërkon sa më shpejt zgjidhje përfundimtare për të lehtësuar një herë e mirë këtë çështje burokratike. Z. Muca kujtoi që ambasada i ka mundësuar shërbimet konsullore nëpërmjet platformës elektronike “Shërbimi konsullor online” ndërkohë ai informoi që përpjekjet për pajisjen me pasaportë biometrike dhe kartë identiteti pranë ambasadës po vazhdojnë në mënyrë të gjithanshme dhe të vazhdueshme nga institucionet përgjegjëse në vendin tonë, megjithë kompleksitetin e tij si proces, i cili është vështirësuar më shumë edhe për shkak të pandemisë, por që është në prag të realizimit përfundimtar. Ndërkohë ambasada ofron dy alternative shërbimi konsullor për qytetarët në mungesë të pajisjes me pasaporta: ambasada mundëson lëshimin e lejes së kalimit të vlefshme për një udhëtim në Shqipëri dhe vërtetimet përkatëse për autoritetet e emigracionit të Kanadasë në rast se janë në procedura të rinovimit të statusit në Kanada. Pas informimit të z. Muca, z. Kuqi ftoi pjesmarrësit në takim për një prezantim të shkurtër të tyre dhe të bizneseve që ata drejtojnë.


Jona Kondoura

Avokate dhe pronare Glacier Immigration





Znj. Kondoura e cila zotëron dy biznese të cilat sapo i ka hapur. Znj Kondoura është konsulente emigracioni e cila e ushtron si profesion që prej 8 vitesh, mbulon shumë shërbime pasi është njohëse e ligjit të emigracionit dhe tashmë ka hapur biznesin e saj në këtë fushë. Biznesi tjetër që ajo zotëron është një butik luksoz për fëmijë. Veshjet janë të dizenjuara për ditëlindje, dasma, festa etj. Ky biznes ka qenë paksa problematik për shkak të mungesës së eventeve festive në Kanada nga kufizimet e pandemisë. Jona Kondoura është 28 vjeçe, ka dy fëmijë dhe zotëron dy biznese. Qëllimi që i ka vënë vetes është të punojë fort e të sigurojë suksesin në angazhimet e saj.


Florent Godeni

Pronar

“Brothers F Company”

Gjakova Grill



Z. Godeni ka në pronësi kompaninë “Brothers F” e cila merret me produktet dhe nënproduktet e mishit të viçit. Kompania është krijuar në nëntor të vitit 2016, dhe ka qenë një nismë e suksesshme duke patur mbështetjen e dyqaneve në Kalgari të cilat shisnin produktet dhe nënproduktet e kompanisë. Më pas në vitin 2018, z. Godeni ka hapur edhe nje restorant i quajtur “Gjakova Grill”, ku përgatiten ushqimet shqiptare. Aty mund të shiten me peshë produkte të tilla si suxhuk, proshutë, qebab, qofte etj. Fillimi ishte i mirë dhe i mbarë, por 15 muajt e pandemisë kanë ndikuar negativisht veçanërisht bizneset e restoranteve. Ndihma e qeverisë kanadeze ka mundësuar përballimin e kësaj sfide. Por z. Godeni është optimist që me hapjen e shpejtë, situata do vije duke u përmirësuar dhe gjithcka do kthehet në normalitet.


Agron Miloti

Pronar dhe Drejtor Ekzekutiv

Devencore

Z. Agron Miloti zotëron kompaninë “Devencore”, në fushën e pasurive të paluajtshme, e cila ndodhet në treg që prej 30 vitesh. Kompania nuk merret drejtpërdret me shitjen e ambjenteve për banim, por me shitjen e ambjenteve për biznes. Devencore e cila ka një përvojë më shumë se 30 vjet në treg ka degët e saj në qytetet e mëdhaja si: Vankuver, Viktoria, Kalgari, Edmonton, Toronto, Motreal, Kebek dhe Halifaks. Z. Miloti nga ana tjetër na tregoi që pandemia për të në fakt ka sjellë sukses, pasi i ka dhënë mundësinë të zgjerojë biznesin dhe të bëjë blerje të leverdisshme.



Evi Pupuleku Shkoza

Pronare e WISP BUTIQUE



Znj Evi Pupuleku Shkoza sapo ka hapur sallonin e saj “Wisp Butique”. Një biznes i hapur në tetor të vitit 2020, i vogël por ndërkohë luksoz, i cili ndodhet në “Marda Loop”, Kalgari dhe ofron shërbime si prerje flokësh, shërbime estetike si dhe estetikë mjekësore. Mbyllja dy herë e një biznesi të sapohapur ka ndikuar negativisht, ashtu i dhe për bizneset e tjera, tregon Evi, por shpreson që në të ardhmen të ketë më shumë klientë nga komuniteti shqiptar për të treguar më shumë solidaritet por dhe e sigurt që ofron shërbimet më të mira në treg, kërkon mbështetje veçanërisht nga bashkëkombasit ashtu sic ndodh rëndom në cdo komunitet tjetër. Fryma e solidaritetit është parësore për unitetin e një komuniteti të caktuar.



Shaqir Duraj

Pronar I European Bakery

A&B Property Management



European Bakery është hapur në vitin 2006, ndodhet në Avenue 17 në qendër të Kalgarit. European Bakery ka kryesisht prodhime tradicionale si byrek, qebap, mund të blihet kafe turke të firmave shqiptare apo edhe produkte të tjera që vijnë nga Shqipëria dhe për fat të keq pak nga Kosova.


Art Agolli

Drejtor Ekzekutiv i “Equity Health Services”




Z. Agolli informoi shkurtimisht komunitetin shqiptar dhe ambasadën në lidhje me biznesin e tij. Equity Health Services është një kompani bioteknologjike, në fushën e shëndetësisë dhe në këto momente është furnizuesi më i madh i Albertës për testet e COVID. Equity Health Services bashkëpunon me kompaninë më të madhe koreane e diagnostikimit, dhe si grup përbëjnë një nga kompanitë më të mëdhaja në Kanada në furnizimin me të gjithë linjën e COVID 19. Equity Health Services ka një bashkëpunim të gjatë me Alberta Health Services. Pandemia e gjeti të papërgatitur si Albertën ashtu edhe të gjithë Kanadanë, pasi testet, aparaturat e diagnostikimit vinin nga USA dhe pas mbylljes së kufijve, USA i mbylli të gjitha kanalet e furnizimit. Diçka e tillë solli vonesat në bërjen e testeve në kohë. Në këto kushte Equity Health Services nisi bashkëpunimin me qeverinë për furnizimin si dhe rritjen e kapaciteve me laboratorë si në Edmonton dhe Kalgari. Ndërkohë që në maj 2020 nuk bëhej asnjë test për COVID-19 në Kalgari, megjithëse kishin një nga laboratorët më të mirë në Kanada, por falë bashkëpunimit me Equity Health Services ata e rritën kapacitetin me 20 mijë teste në ditë. Equity ka hapur një laborator të vetin këtu në Kalgari, dy janë gjithsej të tillë dhe ai ndodhet në kampusin e universitetit të Kalgarit. Z. Agolli, ashtu dhe sic e kishte lajmëruar edhe më parë te shoqata jonë, i ka ofruar gjithë komunitetit shiptar një çmim promovues, ku do të mund të paguajnë vetëm 60 dollarë për test nga 150 dollarë që është çmimi i testit në treg sot. Shqiptarët të cilët duan të udhëtojnë dhe nevojitet rezultati i testit kanë mundësinë ta bëjnë pranë Equity Health Services edhe nëpërmjet shërbimit “Fedex” duke dërguar tamponin dhe e marrin përgjigjen për 3-4 orë. Një tjetër risi i e kësaj kompanie janë laboratorët e lëvizshëm të cilët do vendosen në zona të largëta si te kompanitë e naftës dhe së shpejti shpresojnë që të instalojnë një të tillë edhe ne aeroportin e Kalgarit. Equity ka laboratorin e vet edhe ne Barbados dhe në Karaibe dhe në rast se shqiptarët do shkojnë me pushime atje do të mund të gjejnë këtë shërbim edhe aty. Në bashkëpunim me qeverinë kanadeze do të ofrohet edhe pasaporta e vaksinës dhe të validimit të testit brenda të gjitha standarteve ndërkombëtare që do të njihen edhe në BE, USA, UK. Kjo do të bëhet e mundur në bashkëpunim me dy kompani të mëdha amerikane të cilat merren gjithashtu edhe me prodhimin e pasaportave kanadeze dhe amerikane si dhe monedhat respektive. Z. Agolli theksoi se 50% e stafit të Equity jane shqiptarë dhe ky është një detaj i rëndësishëm sepse mund të ndihmojë atë pjesë të komunietit që ka problem me gjuhën angleze.

Z. Arshi Kuburi

pronar i “Global Tech Roofing”




Z Kuburi pasi falenderoi për këtë takim sa domethënës dhe të frytshëm mes bizneseve shqiptare, duke patur edhe praninë e ambasadorit, ai e cilësoi si mjaft të rëndësishëm edhe krijimin e një numeratori telefonik të propozuar nga Dr. Fishta. Ndryshe nga bizneset e tjera, Z. Kuburi duke iu referuar edhe bizneseve të tjera në ndërtim ku dhe vetë bën pjesë, kjo fushë është më pak e dëmtuar dhe në raste specifike ka patur rritje të të ardhurave për shkak të rritjes së blerjeve të shtëpive dhe rritjes së çmimit të shtëpive gjithashtu. Z. Kuburi mendon që një bashkëpunim edhe më i detajuar mund të ndodhë mes bizneseve të shqiptarëve në fushën e ndërtimit.


Marsela Kola

Pronare e “Naturela Photography”



Prezantimi në vijim ishte i znj. Kola, pronare e “Naturela Photography” e cila e ka hapur biznesin e saj prej jo më shumë se dy vitesh. Znj. Kola shpjegoi me detaje shërbimin që ajo ofron duke nisur që nga portretet e klientëve të cilët i kthen në vepra arti të gatshme për t’u shpalosur në muret ë shtëpive tuaja, pra Naturela Pgotography është ajo që kujdeset për të ruajtur të freskëta dhe të paharrueshme momente mbresëlënëse në jetën tuaj.

Në fund të prezantimeve foli edhe zonja Anila e cila megjithëse vetë nuk zotëron një biznes, shprehu kënaqësinë e marrjes pjesë në një takim të tillë ku dëgjoi rreth bizneseve të hapura nga shqiptarët dhe dëshirën për t’u solidarizuar me to dhe për t’u njohur nga afër.


Shkruajti artikullin: Danjela Lumani Bregasi

Featured Posts
Recent Posts
Search By Tags
No tags yet.
Follow Us
  • Facebook Classic
bottom of page